Shtetet e QUINT-it përmes një komunikate të përbashkët kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve komunale në veri të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar këtë vendim si konstruktiv që ndihmon avancimin e përpjekjeve për siguri në Veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, përcjell InLajmi.
Në reagim tutje thuhet se dialogu është e vetmja rrugë drejt marrëveshjes dhe se ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Rikujtojmë se për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për në fillim të vitit 2023, kështu 23 prillin është data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Presidentja shtoi se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike në vend për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri. /InLajmi/