Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti tha se ka pasur një takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci lidhur me Selim Bezeraj, anëtar I Këshillit Drejtues të UP-së, pasi ky i fundit akuzohet për plagjiatur.
Sahiti në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se ishte i befasuar nga reagimi i ministres Nagavci pasi Sahiti kërkoi interesim për këtë çështje.
Ai tha se Nagavci nuk shprehi asnjë interesim, as nuk ofroi mbështetje për ta adresuar këtë si çështje.
“Reagimi i saj pak më ka befasu, nuk e kam prit, nuk ka shpreh ndonjë interesim, as me dhënë ndonjë ide, por as me ofru ndonjë mbështetje për me adresu si cështje. Nuk e di, shohim si t’ja bëjmë, qikaq kanë qenë përgjigjet e saj”, tha ai.
Tutje, Sahiti e akuzoi ministren Nagavci se është e përfshirë në tentimin për shkarkimin e tij nga pozita e rektorit të UP-së.
“Ministrja është e përfshirë në krejt këtë zhvillim të ri rreth UP, përndryshe si Qeveri që me disa ministri kemi pas bashkëpunim korrekt”, tha ai.
Të premten Këshilli Drejtues i UP-së është e paraparë që të marrë vendim për shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahiti. Kështu tha në një konferencë për media vetë rektori Sahiti.