Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla së fundmi është takuar me homolun e tij turk, ministrin Suleyman Soylo, përcjell InLajmi.
Ministri Sveçla tha se së bashku me ministrin turk kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët në theks të veçantë, intensifikimin me Policinë e Kosovës.
Po ashtu Sveçla njoftoi se nesër do të jetë në Bursë ku do të takohet me një pjesë të mërgatës ku ndër të tjera do të flasin për temat si lehtësimin e sfidave të tyre si dhe për angazhimin e tyre për të ndihmuar në avansimin e shtetit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Kisha nderin që dje të pritem në takim nga homologu im, Ministri i Brendshëm i Turqisë z. Suleyman Soylu.
Diskutuam për marrëdhëniet mes shteteve tona, duke vlerësuar lartë ndihmën e ofruar nga Republika e Turqisë në shtetndërtimin tonë. Me theks të veçantë biseduam për bashkëpunimin tonë në fushat e interesit të përbashkët deri më tash dhe për intensifikimin e tyre në vijim.
Përgjatë vizitës sime në Republikën e Turqisë kam vizituar edhe Komandën e Xhandarmërisë ku pata mundësinë të shoh edhe një demonstrim të aftësive të pjesëtarëve dhe pajisjeve të tyre dhe të diskutoj me ta për intensifikimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës. Me këtë rast shfrytëzova mundësinë që të vizitoj disa prodhues të njohur të armatimit dhe pajisjeve të sigurisë në Sakarya, Izmir dhe Ankara.
Sot dhe nesër do të jem në Bursa ku do të takoj Prefektin e Prefekturës së Bursës si dhe një pjesë të mërgatës sonë këtu për të diskutuar mbi angazhimin tonë në adresimin dhe lehtësimin e sfidave të tyre si dhe për angazhimin e tyre për të ndihmuar në avansimin e shtetit tonë./InLajmi/