Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Apelit për procesin e noterisë, përcjell InLajmi.
Sipas saj, Gjykata Themelore – departamenti për çështje administrative, tri herë radhazi kishte refuzuar me të drejtë, kërkesën për masë të përkohshme lidhur me vendimin për anulimin e procesit të noterisë.
Postimi i plotë i saj:
Edhe përkundër këtij vendimi skandaloz të Apelit, departamenti administrativ i Gjykatës Themelore, sërish kishte refuzuar kërkesën për masën e përkohshme por tani meqë ky vendim i drejtë nuk i kishte pëlqyer Apelit, kolegji i Apelit paska vendosur masën e përkohshme pra ka ndaluar ekzekutimin e atij vendimi.
Ky aktvendim është skandaloz dhe legjitimon një proces të komprometuar i cili ishte përcjellë me paligjshmëri, jotransparencë dhe jobjektivitet. Ky aktvendim është në kundërshtim me interesin publik.
Ky aktvendim është i ndikuar dhe i papranueshëm sepse në listën e kandidatëve të cilët kishin kaluar provimin e noterisë, ishte edhe bashkëshortja e deputetit Hajredin Kuçi, ndërsa si kryetar kolegji në këtë aktvendim paska qenë gjyqtari Ramiz Kuqi, dhe sipas informacioneve i njëjti ështe familjar i deputetit Hajredin Kuçi. Kjo assesi nuk mund të jetë e rastësishme.
Prandaj ky vendim nuk mund të quhet i paanshëm, përkundrazi. Arsyetimi se në këtë rast ka qenë palë dikush tjetër është i pa bazë sepse ky aktvendim vlen edhe për kontestet tjera.
Gjyqtarët e kanë për obligim që të ushtrojnë përgjegjësitë në mënyrë të paanshme, të shmangin konfliktin e interesit dhe të përjashtojnë veten nga pjesëmarrja në rastet ku mund t’i vihet në pikëpyetje anshmëria.
Këto vendime skandaloze, janë dëshmia e qartë se sa shumë i nevojshëm është procesi i vetingut në Kosovë. Proces nga i cili do të dilnin profesionist të ndershëm.
Ministria e Drejtësisë duhet ta dërgojë në Gjykatën Supreme këtë aktvendim dhe në anën tjetër gjyqtari në fjalë do të duhej t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore./InLajmi/