Në aktpadinë e tij shokuese ndaj rivalit më të madh të Rexhep Tajip Erdoganit, kryeprokurori publik i qytetit më të Turqisë e akuzoi kryebashkiakun e njohur të Stambollit Ekrem Imamoglu për 142 vepra penale korrupsioni, të cilat diktojnë dënime me burgim që variojnë nga 828 deri në 2,352 vjet.
Rasti gjithëpërfshirës i korrupsionit që shënjestron Imamoglunë, përfshin mashtrim të dyshuar, ryshfet dhe krim të organizuar, sipas njoftimit të Prokurorisë, ku nënvizohet se një aktakuzë ishte përgatitur nga Byroja e Hetimit të Krimit të Organizuar si pjesë e një hetimi për atë që e përshkroi si “një organizatë kriminale”.
Imamoglu, një figurë kryesore e opozitës nga Partia Republikane Popullore (CHP) kryesore e opozitës turke dhe e konsideruar si rivali më serioz i presidentit Erdogan, u burgos në mars së bashku me 105 të tjerë si pjesë e një hetimi të gjerë. Ai mohon me forcë të gjitha akuzat, që për ndjekësit e tij kanë një sfond të qartë politik.
Kryeprokurori Akin Gurlek u tha gazetarëve se hetimi ka përfunduar dhe prokurorët kanë përpiluar një aktakuzë prej 3,900 faqesh që përshkruan 143 vepra të veçanta penale të cilat përfshijnë 402 të dyshuar.
”Ekrem Imamoglu është themeluesi dhe udhëheqësi i organizatës”, citohet të ketë thënë Gurlek, që shpjegoi se çështja përqendrohet tek akuzat për manipulim të tenderëve komunalë dhe blerje të paligjshme të pronave gjatë kohës së Imamoglut si kryetar bashkie.Prokurorët pretendojnë se krimet shtrihen në një dekadë, duke rezultuar në një humbje financiare publike në vlerë prej rreth 3.8 miliardë dollarë.

















