Analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se skena politike në Kosovë pritet të pësojë ndryshime të mëdha në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që sipas tij pritet të dalë fituese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (VV) do të humbasë avantazhin aktual.
“Fillimisht, NISMA Social Demokrate do të vendosë interesin partiak mbi gjithçka dhe do të hyjë në qeveri. NISMA dhe AAK-ja janë humbëset më të mëdha të zgjedhjeve dhe nuk mund të shkojnë në një koalicion parazgjedhor pas gjithë kësaj situate,” tha Mushkolaj në DebatPlus.
Sipas tij, lideri i Nismës, Fatmir Limaj, do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisë dhe do të japë votën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kontribuar në formimin e një shumice të re.
Mushkolaj u ndal edhe te pozita e Lëvizjes Vetëvendosje në rast të zgjedhjeve të reja.
Ai theksoi se kjo parti nuk do të arrijë të mbajë epërsinë që kishte në zgjedhjet e kaluara.
“LVV do t’i fajësojë të tjerët për situatën e krijuar, por partia që del e para në zgjedhje duhet të bëjë koalicion për formimin e qeverisë. Pse duhet të viktimizohet sërish me narrativën ‘unë desha, por ata s’pranuan’? Në këtë rast, Vetëvendosja nuk do të arrijë t’i fitojë zgjedhjet nëse shkohet në to,” u shpreh ai.
Në këtë kontekst, Mushkolaj parashikon që PDK-ja të dalë fituese në zgjedhjet e reja.
Duke komentuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ai tha se kjo parti po kalon një periudhë të paqartë.
“LDK-ja fillimisht kërkoi qeveri tranzitore, pastaj qeveri uniteti. Tani është në një situatë të paqartë — as me Sheher, as me Barilevë. Nuk po do të hyjë në qeveri. Një situatë e çuditshme dhe aspak e favorshme për LDK-në,” përfundoi Mushkolaj.