Asnjëra nga subjektet politike nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme në zgjedhjet e 9 shkurtit për t’a formuar e vetme Qeverinë.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e parë dhe ka 48 mandate, e dyta është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, në vendin e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 deputetë dhe në në vendin e katërt koalicioni AAK-NISMA me tetë deputetë.
Ende nuk ka asnjë lëvizje konkrete nga subjektet politike në vend në drejtim të formimit të institucioneve.
Në lidhje me formimin e Qeverisë së re dhe se kush mund të sigurojë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve, ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Avni Arifi.
Arifi tha se tashmë ska shumë opsione, ose e formon Lëvizja Vetëvendosje Qeverinë ose opozita dhe opsioni i fundit janë zgjedhjet.

Por Arifi potencoi se qytetari i Kosovës nuk do të jetë shpërblyes për ata që bllokojnë krijimin e institucioneve.
“Ska shume opsione, LVV-ja, opozita ose zgjedhje. Nuk besoj që qytetari i Kosovës do të jetë shpërblyes për ata që bllokojnë krijimin e institucioneve e sidomos qeverinë nga ana e opozitës. Refuzimi për shkak të egos apo kalkulimit politik të vastit nuk është rruge suksesi për askënd” tha Arifi.