Sot në fshatin Shkabaj të Prishtinës, inspektorët komunalë kanë tentuar ta rrënojnë objektin e xhamisë. Por të njëjtit kanë hasur në kundërshtim të banorëve. Për këtë pati përplasje mes banorëve dhe Policisë, që përfundoi me shoqërimin në stacion të një personi.
Janë mbledhur afër objektit të xhamisë që është në ndërtim e sipër në Shkabaj të Prishtinës.
Kjo pasi këta banorë, po kundërshtojnë rrënimin e saj.
Në këtë mënyrë, inspektorët komunalë hasën në rezistencë.
Banori i këtij fshati, Sokol Sallahu bëri të ditur për televizionin arsyen e kundërshtimit.
Ne kemi filluar një xhami më 31 dhjetor të 2023. E kemi filluar pas 15 vjetësh pritje të përgjigjes së Komunës së Prishtinës, të gjithë kryetarët kanë thënë se do të bëjnë zgjidhje por nuk kanë bërë. Prona ku ne e kemi nisur xhaminë është pronë e AKP-së dhe na kanë premtu që do ta bëjnë shpejtë shpronësimin e kësaj parcele dhe do të jepet leja. Nuk na kanë bërë por në një lloj mënyrë, vazhdoni punoni”, ka thënë ai.
Me ardhjen e Policisë së Kosovës, gjendja u tensionua.
Madje banorëve iu hodh edhe sprej në trup.
“Ka ardhur Policia me njësi speciale si me patur një aksion kumedit se çfarë edhe i kanë vendosur shiritat rreth xhamisë. Një banor i fshatit ka qendru mbi xhami dhe ka thënë unë sa të jem këtu nuk do të rrënoni. Por shyqyr nuk eskaloi shumë situata. Ne i kaluam shiritat përdorën sprej, faktikisht mu sprejin ma kanë hedhur 2 metra larg shiritit, pa e dëmtu shiritin gjë që nuk ua pata borxh”
E sipas një banori tjetër, shumë qytetarë kanë mbetur pa bukë, për të dhënë para për këtë xhami.
“Asnjë lloj dëmi nuk është bërë, mirë është bërë, ata e kanë kryer punën e vet na tonën. Na për jetë nuk e ndalim punën. Dikush dikush u mbet pa bukë e ka dhënë para për këtë vend me ble material”, ka thënë Hajrullah Osmani, banor i fshatit.
Për shkak të pengimit të zyrtarëve komunalë, një person është shoqëruar në stacion policor.
“Sa i përket pjesës policore për shkak të pengimit të zyrtarëve të komunës, një person është shoqëruar në stacion policor dhe i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe tek Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, por deri në publikimin e kësaj kronike, nuk ka marrë përgjigje, përcjell Tëvë1.
Inspektorët komunalë kanë tentuar ta rrënojnë këtë xhami edhe para gjashtë ditësh, mirëpo ishin penguar në të njëjtën mënyrë nga qytetarët.