Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar masakrën e Rezallës së Skenderajt ku sipas tij, 98 burra e djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë.
Kurti tha se të shtënat kishin zgjatur 30 minuta, ndërsa pas ekzekutimit mizor e barbarë, më 5 prill 1999 forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.
“29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe 2 ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”.
“Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, shkroi Kurti.
Tutje, kreu i qeverisë tha se e vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive, teksa tha se nuk mund të lejojë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë, shkruan GazetaBlic.
“Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri”, tha ai.