Bedri Hamza, i nominuari i PDK-së, për kryeministër, e ka kritikuar Qeverinë aktuale, për mënyrën se si kishte zgjedhur t’i furnizojë nxënësit e shkollave të Kosovës me libra.
Hamza në “Debat Plus”, tha se ka prindër që ende nuk janë rimbursuar edhe pse është premtuar një gjë e tillë.
Sipas tij kostoja e blerjes së librave nga shteti ka kushtuar më shtrenjtë se sa në të kaluarën
“Të tretin (komision) thanë po e bëjmë. Cfarë ndodhi me furnizimin me libra, edhe sot ka njerëz që nuk janë rimbursu, mund të jenë probleme teknike. Nxënësit nuk u furnizuarn me kohë me libra, kostoja jo që u zvogëlua, por u rrit në mënyrë signifikante. Librat kanë kushtu më shtrenjtë se që kanë kushtu në të kaluarën”, tha ai.
Tutje ai tha se Qeveria duhet të hetohet në lidhje me numrin e lartë të kontratave njëburimore, përcjell Dukagjini.
“E kuptoj, kur ke një furnizim për ushtrinë, policinë, që mund të jetë kontratë edhe e klasifikuar. Mirëpo, kontrata që s’kanë fare të bëjnë, me sigurinë, e me qenë njëburimore, kjo përnime don hetim. Te rezervat shtetërore, përveç sasisë janë edhe disa pyetje, cili është çmimi i furnizimit, sa ka qenë çmimi i artikujve në momentin e kontraktimit në bursa. Sa ka qenë? Duhet me hetu”, tha ai.