Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 3 prilli hyn në fuqi ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Për Imer Zeqirin nga Sindikata e Policisë së Kosovës, ndryshimet në këtë ligj, janë bërë jo për t’i dënuar qytetarët, por për t’i vetëdijesuar ata.
“Pres se do të ketë një preventivë për parandalimin e aksidenteve, edhe për respektimin e rregullave por edhe për zvogëlimin e shpejtësisë, sepse po shihni se çdo ditë po ndodhin pa ndalë edhe aksidente me fatalitet edhe kundërvajtje të ndryshme që janë shumë të rrezikshme për qytetarë dhe këto rregulla janë bërë për t’i vetëdijesuar qytetarët dhe jo për t’i dënuar ata’’, thotë Zeqiri për FrontOnline.
Ai thotë se me ndryshimet që janë bërë në ligjin e ri do të ketë efekte pozitive në parandalimin e shkeljes së rregullave të trafikut.
“Unë besoj se do të ketë efekt kjo masë dhe kjo është marr si masë e atyre që nuk i respektojnë rregullat në komunikacion. Po me duket se ndryshe ne nuk po dijmë me u ndalë me këtë mosrespektim të rregullave apo kundërvajtjeve që po shkaktohen në komunikacion’’ thekson ai.