Ministrat e Qeverisë Kurti 2 përkitazi me punët që janë të angazhuar tash e tre vite, po kanë probleme edhe me ligjin. Ministri i MPB-së Xhelal Sveçla dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu përballen me akuza për gaz lotsjellës, por ndaj tyre me Kodin e Procedurës Penale, nuk parashihet pezullimi nga puna.
Gjatë fushatës zgjedhore më 2021, kryeministri, Albin Kurti kishte deklaruar se në qeverinë e tij nuk do të ketë ministra me aktakuza.
3 vite më pas, në Qeverinë që ai udhëheq, janë 2 ministra të 2 dikastereve mjaftë të rëndësishme që kanë aktakuza të ngritura.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përballen me akuza për gaz lotsjellës në Kuvend.
Sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, neni 539, Gjykata e pezullon të pandehurin, i cili është person zyrtar nga detyra e tij, nëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer vepër penale.
Por me këtë kod, kjo vepër nuk parasheh pezullim nga puna deri në verdiktin final.
“Me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale është paraparë suspendimi për të gjitha kategoritë e zyrtarëve publik, por janë të specifikuara disa vepra penale e natyrisht çështja e gazit përkatësisht përdorimi të armëve nuk hyn në kategorinë e veprave penale për të cilat parashihet suspendimi sipas dispozitës 539 të KPP”, thotë avokati Ardian Bajraktari.
Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, bën të ditur për televizionin se deri më tani Gjykatat nuk kanë shqiptuar masa të pezullimit nga detyra.
“Ne sot kemi në Kuvend e në Qeveri ministra apo deputet që janë të dënuar për korrupsion, dhe vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre publik, gjykatat nuk e kanë shqiptuar dënimin plotësues, përveç që kanë shqiptuar një dënim me gjobë, nuk kanë shqiptuar një dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike.”, tha ai.
Mirëpo sipas avokatit Bajraktari, nuk është etike që ministrat të ushtrojnë funksionet e tyre me akuza.
“Vlerësoj që personat që bartin pozicione të rëndësishme në shtet, nuk është edhe etike që paradite të ballafaqohen me akuza, çfarëdo qofshin ato e pastaj pasdite të punojnë.”, tha ai, përcjell Tëvë1
Edhe ministri i infrastrukturës Liburn Aliu, kishte aktakuzë të ngritur për korrupsion, por gjykata e ka liruar atë nga akuzat.