Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, nuncin Jean Marie Speich, me të cilin ka biseduar për raportet mes të 2-ja vendeve, përcjell InLajmi.
Presidentja ia shprehu nuncit Speich mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për kujdesin që Selia e Shenjtë dhe Ati i Shenjtë, Papë Françesku kanë treguar në vazhdimësi ndaj Kosovës. Ajo u shpreh e lumtur për gatishmërinë e Selisë së Shenjtë që t’i ofrojë Kosovës prani të përhershme në Vatikan, nëpërmjet themelimit të Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
“Themelimi i misionit është rezultat i angazhimit tonë të përbashkët për afrimin e vendeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit të përbashkët për paqe”, tha Presidentja Osmani.
Në mënyrë të veçantë Presidentja e falënderoi nuncin Speich për angazhimin e tij për përparimin e vazhdueshëm të raporteve mes Selisë së Shenjtë dhe Kosovës.
Presidentja dhe nunci Speich diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
“Kosova”, tha presidentja Osmani, “ka traditë të gjatë të bashkëpunimit më Selinë e Shenjtë dhe ne jemi të përkushtuar që këtë traditë të mirë të bashkëpunimit ta thellojmë edhe më tej”, thuhet në njoftim.
Nunci Speich, ndërkaq, e falënderoi Presidenten Osmani për pritjen dhe u shpreh i lumtur që raportet e Selisë së Shenjtë me Kosovën janë thelluar ndjeshëm. Sipas tij, themelimi i Misionit të Kosovës në Vatikan është hap i rëndësishëm për raportet mes 2 vendeve./InLajmi/