Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, pasi siguroi kualifikimin në Lojërat Olimpike Paris 2024, ka bërë të ditur se ka synime më të mëdha se sa vetëm pjesëmarrja.
Ajo në emisionin “VAR” në Tëvë 1, tha rrugëtimi i saj nuk përfundon me kualifikimin.
Sadiku ka thënë se turneu nga i cili fitoi normën olimpike, ishte ndër më të fortit në botë.
“Jam shumë e lumtur për këtë kualifikim pasi e ka pas ëndërr për kohë të gjatë, ishte një turne shumë i fortë ndër më të fortit në botë që është mbajtur deri më tani, mirëpo më përgatitje kam arrit formën më të mirë të mundshme dhe arrita që të siguroi kualifikimin për Lojërat Olimpike Paris 2024. Atë që kam premtua e kam realizua, rruga nuk përfundon këtu, shihemi në Paris 2024”, tha Sadiku.
Një ditë më parë Sadiku siguroi kualifikimin në Lojërat Olimpike Paris 2024, pasi mundi italianen, Alessia Mesiano, në gjysmëfinalen e kategorisë -60 kg, të turneut botëror kualifikues për LO Paris 2024.
Me katër fitore radhazi, Sadiku siguroi ‘vizën’ për “LO PARIS 2024”.