Kryetari i AAK-se bashkë me partnerët e koalicionit kanë organizuar sot një tryezë në të cilën kanë diskutuar për gjendjen e arsimit në vend, për sfidat dhe rrugën përpara për përmirësimin e gjendjes, përcjellë InLajmi.
Haradinaj tha se sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Ai gjithashtu shtoi se me arsim s’bëhet pazar, pasi që përcaktohet e ardhmja e vendit.
Ai tha se arsimi nuk është prioritet i qeverisë së tanishme dhe se problemet janë shtuar dhe janë alarmante.
Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, shtoi Haradinaj.
Postimi i plotë i tij:
Sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Me Arsimin nuk bëhet pazar sepse është përcaktues për të ardhmen e vendit.
Fatkeqësisht Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellur këtë sektor buzë kolapsit.
Në tryezën e dytë për Arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e Arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellur Arsimit.
Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, që do të kulmojnë me një plan të përbashkët për ta rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes arsimore në vend./InLajmi/