Fjalimi i 19-të vjetor i Presidentit rus Vladimir Putin, i cili u transmetua në televizionin kombëtar dhe u shfaq në disa kinema, u mbajt më pak se 3 javë përpara zgjedhjeve presidenciale, që ai me siguri do t’i fitojë.
Gjatë fjalës së tij, ai premtoi fonde për të ringjallur ekonominë dhe përshkroi planet për rigjallërimin e infrastrukturës së vendit gjatë gjashtë viteve të ardhshme.
Putini e filloi fjalimin e tij me një sërë referencash për pushtimin rus të Ukrainës, ose “operacionin special ushtarak”, siç e quan ai.
Ai tha se “ne mbështetëm vëllezërit dhe motrat tona dhe dëshirën e tyre për të qenë me Rusinë”, duke iu referuar pretendimit të shpeshtë të Kremlinit se ai e sulmoi Ukrainën për të parandaluar persekutimin e rusishtfolësve, shkruan VOA.
Ai gjithashtu aludoi për aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke vënë në dukje se ishte përvjetori i asaj që ai e quajti “Pranvera ruse”. Sipas Putinit, shumica e popullsisë ruse e mbështet aksionin ushtarak në Ukrainë.