Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, po e emiton në stil presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në kuadër të diskutimit për zhvillimet e fundit në vend, përkatësisht në veri, Berisha vlerësoi që Kurti po bën beteja “të kota” me çështjen e targave, e madje edhe në temën aktuale, ndalimin e dinarit serb në Kosovë.
“Kurti është tipik politikan i hileve, po e emiton Vuçiqin në stil. Kurti po bën beteja të kota, si targat e dinari, krejt simbolike. Por, në fakt ka pranuar marrëveshjen e Ohrit. Kryeministri po e trajton dialogun si diçka që është duke e luftuar Serbinë, e në fakt po e lufton Amerikën e Bashkimin Evropian. E kjo logjikë, nuk e shqetëson një kryeministër të papërgjegjshëm”, deklaroi Berisha.
Vendimi i Qeverisë për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb, ka ngjallur reagime tek serbët lokal në veri, kështu duke çuar deri në shpërndarjen e fletushkave kërcënuese për Policinë dhe shtetin e Kosovës.
Ndërsa, është kritikuar edhe nga aleatët. Me e ashpëra ka qenë ajo e ndihmëssekretarit amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
Ai ka thënë se nëse SHBA nuk trajtohet si partnere, nuk do ta trajtojnë partnere Qeverinë e Kosovës, shkruan TëVë1.
Ndërkaq, fletushka me përmbajtje kërcënuese drejtuar Policisë së Kosovës janë shpërndarë të hënën në veri të Kosovës. Grafitet e shpërndara në emër të “Mbrojtjes Popullore”, japin udhëzime për serbët lokale se si të rezistojnë ndaj Policisë së Kosovës, si dhe shërbyesve civilë.