Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, tha se duke qenë se Kosova ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, anëtarësimi i plotë në këtë organizatë mbetet prej synimeve kryesore të politikës së jashtme, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për këtë vit.
“Ndërkohë që do të vazhdojë blerja e ndërtesave të reja për misionet tona diplomatike, krahas planifikimit për miratimin e 3 ligjeve shumë të rëndësishme: i pari ligji për Diasporën; i 2-ti ligji për Protokollin e Shtetit; dhe i 3-ti ligji për Shërbimin e Jashtëm, si dhe rekrutimit të diplomatëve të rinj për fuqizimin e diplomacisë sonë anë e mbanë globit”, tha ai.
Sipas tij, viti 2024 ka filluar si është më së miri.
“Pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, njohjes së pasaportës nga Spanja, e dekretit për hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, dje morën edhe njoftimin zyrtar se nga 22 shkurti qytetarët tanë do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Kurti, shkruan RTK.
Të gjitha këto, sipas tij, forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, që përveçse prioritet i këtij viti, ka qenë dhe është prioritet programor i politikës së jashtme.