United Nations Association Albania ndau një album fotografik mjaft të veçantë, i cili përcillte gëzimin për realizimin e një nisme të re që u materializua në bashkëpunim me TKOB.
Për herë të parë personat me dëmtim të shikimit, ndoqën një shfaqje të TKOB, duke ndjekur njëkohësisht përshkrimin e parë audiovizual në një spektakël shqiptar. Kjo ndodhi në premierën e baletit magjepsës, “Arrëthyesi”.
UNAA i shprehu mirënjohjen Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe drejtoreshës Abigeila Voshtina. Gjithashtu shprehu një falenderim të veçantë për Gentian Mumajezin, audiopërshkruesin që solli në jetë baletin për publikun me shikim të dëmtuar, shkruan ATSH.
Në hapje të shfaqjes, Presidenti i UNAA-s, Kristi Cina doli në skenë duke iu drejtuar audiencës së premierës, me një diskurs të rëndësishëm mbi përfshirjen dhe diversitetin. Kjo ngjarje historike shënon një epokë të re të arteve, duke nxitur një komunitet ku të gjithë mund të përjetojnë gëzimin dhe bukurinë e shfaqjeve kulturore.