Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Besa Kokëdhima i është rikthyer pas 12 vitesh konkurrimit në Festivalin e Këngës në RTSh.
Ajo u prezantua në natën e parë të këtij festivali të martën me “Zemrën n’dorë”, një kompozim i Kledi Bahitit bashkë me Besën, me tekst nga Petrit Sefaj dhe Rozana Radi dhe orkestrim nga Darko Dimitrov.
Kënga e cila pati një lëvrim në disa rryma dhe zhanre të ndryshme, u prit me duartrokitje të zjarrta nga publiku pas interpretimit të fuqishëm që i bëri Besa e shoqëruar nga orkestra live e RTSh-së.
Megjithëse pati probleme dhe vështirësi teknike, ajo përmes një shkrimi në rrjetet sociale u shpreh e lumtur për emocionet që përcolli te publiku.
“Me gjithë vështirësitë teknike, organizative, unë u përpoqa të jap maksimumin të përçoja tek ju emocionet tepër të forta që më fal kjo këngë. Shpresoj ta keni shijuar. Kjo është vetëm nata e I. Do shihemi së bashku më datë 22 për surpriza të tjera”, shkroi Besa.
Artistja do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve sonte (e premte) në finalen e madhe, për të performuar edhe një herë me synimin për të fituar edicionin e sivjetmë.
Fituesi i edicionit të 62-të të Festivalit të Këngës në RTSh, do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në ‘Eurovision 2024’.