Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) vazhdon të garantojë sigurinë me aktivitetin e saj patrullues në zonën kufitare të Kosovës me Serbinë.
Ekipi i Anadolus ka shoqëruar patrullën tokësore të ushtarëve italianë në krye të KFOR-it në zonën kufitare afër komunës së Zveçanit dhe Zubin Potokut në veri të Kosovës, ku jetojnë me shumicë popullata serbe.
Ushtarë të KFOR-it, përpos patrullave tokësore, janë vënë re gjithashtu duke patrulluar me varkë në Liqenin e Ujmanit, një pjesë e të cilit ndan Kosovën dhe Serbinë.
Guglielmino Esercito, komandanti përgjegjës i njësisë italiane, tha në një prononcim për Anadolu se ata kanë kryer patrulla në komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Esercito theksoi se po shërbejnë në përmbushje të misionit që kanë për arritjen e një mjedisi të sigurt në territorin e Kosovës.
“Ne jemi të pajisur mirë dhe të trajnuar mirë, kështu që fleksibiliteti ynë mund të na japë mundësinë të përballemi me të gjitha llojet e sfidave në fushën e operimit, kështu që KFOR-i është i gatshëm të përballet me të gjitha llojet e sfidave”, tha ai.
Grupi i armatosur serb që kreu sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, i cili rezultoi me vdekjen e policit kosovar Afrim Bunjaku, arriti të hyjë dhe më vonë të dalë jashtë territorit kosovar duke përdorur rrugët malore. KFOR-i ka shtuar praninë dhe aktivitetet e patrullimit në Kosovë pas përshkallëzimit të sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
KFOR-i është në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
KFOR-i është misioni më i madh dhe më jetëgjatë i udhëhequr nga NATO-ja me më shumë se 4 mijë e 500 trupa nga 27 vende, përfshirë 21 shtete anëtare të NATO-s dhe 6 partnerë, të dislokuar në Kosovë.
Më 10 tetor, Türkiye mori për herë të parë për një mandat njëvjeçar komandën e KFOR-it.