Kuvendi i Kosovës organizoi pritje për fundvit për përfaqësuesit e mediave dhe të shoqërisë civile këtë të mërkurë për përfaqësuesit e mediave dhe ata të shoqërisë civile, që përcjellin punën e Kuvendit, përcjell InLajmi.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, nuk ishte i pranishëm për shkaqe shëndetësore, të ftuarve iu drejtua nënkryetarja Saranda Bogujevci e cila falënderoi të gjithë gazetarët për punën që kanë bërë gjatë këtij viti në raportimin e drejtë dhe të paanshëm të publikut dhe mbulimin medial të të gjitha aktiviteteve të Kuvendit.
Në veçanti ajo përgëzoi gazetarët që kanë mbuluar ngjarjet në veri të Kosovës, duke punuar në kushte aspak të favorshme për sigurinë e tyre.
“Raportimi i drejtë dhe në kohë reale, sidomos në periudha tensionesh e krizash është qenësore dhe faktor shumë i rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë”, tha nënkryetarja Bogujevci.
Falë partneritetit me shoqërinë civile dhe mediat, shtoi nënkryetarja Bogujevci, është bërë punë e shkëlqyeshme nga Forumi për Transparencë Parlamentare në organizimin e një sërë aktivitetesh dhe masash konkrete që e promovojnë hapjen e institucionit të Kuvendit ndaj publikut, i cili u kurorëzua me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur.
“Jemi të vetëdijshëm që duhet të punojmë më shumë sidomos në lehtësimin e punës së gazetarëve dhe raportimin e tyre ditor nga Kuvendi, në funksion të informimit të përgjithshëm qytetar dhe rritjes së mëtejme të transparencës, si element esencial i demokracisë”, tha në fjalën e saj nënkryetarja Bogujevci.
Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, pasi u uroi të pranishmëve mirëseardhje në pritjen e fundvitit, të organizuar nga Forumi për Transparencë në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit, tha se ky vit që po shkon nuk ka qenë aspak i lehtë as për deputetët e as për gazetarët, duke pasur parasysh punën e ngarkuar.
E gjithë këto angazhime sipas saj kurorëzohen me suksese që vijnë nga puna e përbashkët.
“Po e marr të drejtën që në emër të gjithë Forumit për Transparencë Parlamentare dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të them që ndihemi shumë krenarë që këtë vit po e përmbyllim me Kosovën si anëtare më të re të Organizatës për Partnership të Hapur, nërsa viti që vjen do të na gjejë me një plan të punës, që do të jetë në përputhje me obligimet e punës që na dalin si Forum për Transparencë, por edhe nga obligimet që i kemi si shtet anëtar i një organizate mjaft të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Kryeziu-Hyseni.
Ajo falënderoi kryetarin Konjufca, i cili i ka dhënë mbështetje Forumit, deputetët anëtarë të Forumit, përfaqësuesit e shoqërisë civile edhe stafin e administratës së Kuvendit, për angazhimin dhe punën që kanë bërë bashkë.
“Falë këtij bashkëpunimi kemi arritur që t’i përmbushim objektivat tona dhe jam më se e sigurt që me këtë zell dhe vullnet do të nisim edhe vitin 2024, sepse ka shumë punë që na presin përpara. Meqë jemi kaq të gatshëm t’i marrim përsipër obligimet që vijnë karshi nesh, jam e bindur që me këtë ekip do ta përmbyllim suksesshëm”, tha Kryeziu-Hyseni.
Një fjalë rasti mbajti edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, anëtare e Forumit për Transparencë Parlamentare e cila beson se viti 2024 do të jetë vit kur do të përmbyllen obligimet në funksion të llogaridhënies dhe transparencës.
“Është zotim i përbashkët që si Forum të kërkojmë nga Kuvendi që t’i kryejë obligimet e veta në funksion të rritjes së transparencës dhe informimit për qytetarët e Kosovës për punën që bëhet në Kuvend”, theksoi deputetja Deliu-Kodra. /InLajmi/