Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet çuar përpara, në mënyrë që të vendoset një paqe dhe stabilitet edhe në rajon.
Për këtë është e nevojshme edhe një koordinim i faktorit politik shqiptar në rajon, thotë ish diplomati shqiptar, Besnik Mustafaj. Në një takim të shumë akterëve shqiptarë në Tiranë, organizuar nga Kuvendi i Alpeve, Mustafaj tha se gjatë procesit të këtij dialogu janë bërë edhe gabime, por jo me fajin e palës shqiptare, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet në Kosovë.
Mbështetur në 3 shtylla kryesore u mbajt “Takimi i madh i Tiranës” ku morën pjesë shumë personalitete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina, Arbreshët, shqiptarë nga Shba, Australia etj!
Ish-diplomati shqiptar Besnik Mustafaj i cili kishte fjalimin kryesor në këtë takim, e sheh si çështje serioze procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe thekson nevojën për një koordinim më të mirë dhe të shpejtë të faktorit politik shqiptar në rajon. Ai e cilëson si sfidë kryesore çështjen e Kosovës, ndër ato që kanë shqiptarët në rajon.
“Ndër të gjitha sfidat që përballet sot bota shqiptare në Ballkanin Përëndimor, më kryesorja është çuarja përpara e bisedimeve Prishtinë Beograd, për të arritur te normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja reciproke në mes të këtyre 2 vendeve, të cilat do të jenë në jetë të jetëve vendefqinje”
Ai thotë se edhe ndërkombëtarët janë ndikuar nga Serbia edhe për shkak të lidhjeve të saj që ka pasur me Rusinë dhe me fuqi të tjera me ndikim në OKB.
Këto vlerësime Besnik Mustafaj i bëri në “Takimin e madh të Tiranës”, një manifestim ky, që është organizuar nga Kuvendi i Alpeve, takim panshqiptar, ndërballkanik dhe ndëratlantik, që ka për qëllim bashkëpunimin e shqiptarëve në rajon dhe me gjerë, shkruan RTK.
Gjatë takimit me shumë të ftuar pati edhe fjalime te tjera dhe u ndanë vlerësime dhe çmime për personalitete të nderuara të vendit!