Kreu i Grupit të “Rithemelimit” Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, pas përfundimit të mbledhjes së një grupi deputetësh të opozitës, u shpreh se parlamenti sot ekziston vetëm si ndërtesë. Ai shtoi se opozita nuk i njeh ligjet e miratuara nga Kuvendi pa debat.
Berisha pranoi se greva e urisë është një opsion, por ende nuk është marrë një vendim i tillë nga opozita.
“Ne do të vazhdojmë të protestojmë deri në rivendosjen e plotë të të drejtave kushtetuese të përfaqësuesve të popullit opozitar në parlament. Edi Rama bën luftë tani me Kushtetutën, bën luftë me popullin opozitar”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “Komisionet Hetimore Parlamentare do t’i nxjerrin atij të gjitha të palarat, vendimet antiligjore, antikushtetuese, të gjitha aktet e tij dhe si përfundim do të dorëzojë mandatin dhe të shkojë në punë të vet”, vijoi Berisha.
Ish Kryeministri theksoi se parlamenti sot ekziston vetëm si ndërtesë, pasi si funksion ka dështuar. “Parlamenti ekziston si ndërtesë dhe grupi i fuqishëm i opozitës që mbron kushtetutën. Të tjerët zhduken si minjtë, prapa digjitalëve”, tha Berisha.
Lidhur me grevën e mundshme të urisë, Berisha tha se janë deputetët e opozitës janë të gatshëm.
“Absolutisht që nesër janë të gatshëm, por greva e urisë dhe çdo akt tjetër do të merret në kohën e duhur. Ju e patë që është nisur një konsultë me qytetarët, opozita në aksion. Gatishmëria e qytetarëve është e jashtëzakonshme”, tha Berisha.
Ish Kryeministri tha se ligjet e kaluara gjatë kësaj periudhe proteste të një grupi deputetësh të opozitës nuk do të njihen, shkruan ATSH.
“Asnjë ligj që kalon në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit, nuk do të njihet nga opozita. Ju i patë si i kaluan, në 15 minuta 7 ligje dhe të shqyrtuara në kundërshtim me ligjin, pa mbledhje komisionesh, të futur pas tavolinave, karrigeve online, të cilën ligji e ndalon përveç se në gjendjen e jashtëzakonshme, pra luftë ose epidemi. Kështu që, kjo nëse ngushëllon veten Rama dhe e quan këtë veprimtari klandestine si të paligjshme, le ta ngushëllojë. Por e vërteta është se kjo është veprimtari e turpshme dhe e paligjshme”, tha Berisha.