Një ngjarje tragjike shënoi sot ndeshjen Egnatia-Partizani e cila u ndërpre pasi Raphael Dwamena, sulmuesi i rrogozhinasve ra përtokë pa ndjenja dhe vetëm pak më vonë humbi jetën.
Sulmuesit ju dha menjëherë ndihma mjekësore, dhe u nis për në spital, por për fat të keq humbi jetën. Shkak dyshohet të ketë qenë ataku kardiak.
Burime brenda skuadrës bëjnë me dije se lojtari ka shfaqur dhe me parë probleme me zemrën, por asnjëherë nuk i ka pranuar ato.
Burimet theksojnë se problemet i janë shfaqur edhe në skuadrat që ka luajtur më parë ndërkohë që në testin fizik dhe mjekësor që ka pasur për Egnatian, analizat kanë qenë stabël dhe të lejueshme për të qenë pjesë e skuadrës, shkruan Euronews.al.
Raphael Dwamena, titullari i Egnatias ka shënuar 9 gola në këtë sezon.
Njoftimi i policisë:
Në stadiumin “Arena Egnatia”, ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës “Abisnet Superiore”, midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.
Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.