Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po qëndron në vizitë zyrtare në Itali, me ç’rast është takuar me admiralin Giuseppe Cavo Dragone, Shef i Mbrojtjes së Italisë dhe Kryeuses i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me të cilin diskutuan për situatën gjeopolitike e bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes, përcjell InLajmi.
Ministri Maqedonci, gjithashtu theksoi se me admiralin Dragone, përveç situatës politike, diskutuan edhe për zhvillimin e FSK-së, dhe anëtarësim e Kosovës në NATO dhe BE.
Tutje, ministri vuri në theks vlerësimin e lartë që bëri admirali për mënyrën se si është menaxhuar sulmi terrorist në veri të vendi.
Postimi i plotë i tij:
Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, së bashku me Ambasadoren e Kosovës në Republikën e Italisë, znj. Lendita Haxhitasim, Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli si dhe Këshilltaren Politike, znj. Liridona Gashi, takova Admiral Giuseppe Cavo Dragone, Shef i Mbrojtjes së Italisë dhe Kryeuses i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Diskutuam për situatën aktuale gjeopoltike, zhvillimin e FSK-së, bashkëpunimin bilateral me Italinë në fushën e mbrojtjes, dhe synimin tonë si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE.
Admiralin e falenderova për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka ofruar përmes trupave të KFOR-it dhe EULEX-it.
Nga ana e tij, Admirali shprehu vlerësim të lartë për mënyrën se si është menaxhuar sulmi terrorist në veri të vendit, e po ashtu shfaqi vullnet e gatishmëri të plotë për të përkrahur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe.
Të dy u dakorduam që ruajtja e stabilitetit në Ballkan e më gjerë përbën prioritet, ndërsa koordinimi me partnerët tanë strategjik është lidhja që e garanton këtë./InLajmi/