Drafti për Asociacionin, i paraqitur nga kryeministri Edi Rama, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas Sali Berishës, është i Vuçiqit.
Në takimin e përjavshëm më gazetarët, kreu i grupit të “Rithemelimit” tregoi se pas takimit në Bruksel, ku kryeministri Albin Kurti mori draftin, e pranoi pa kushte.
“Dhe Aleksandër Vuçiq u detyrua t’u thotë serbëve se kësaj herë, Albini korri një fitore të shkurtër, një javë më mbrapa, Edi Rama për të ndihmuar Aleksandër Vuçiq, shpërthen në mediat e tij dhe kudo, se ai draft që u mor në Bruksel, është drafti i Edi Ramës. Kishte vetëm një qëllim, që Aleksandër Vuçiq të lehtësohej në refuzimin e tij, të thoshte që unë një draft të Tiranës nuk e pranoj, është i Tiranës, normale. Nuk ka serb që do ta mbështeste një draft të hartuar në Tiranë”, shtoi Berisha.
Me anë të draftit të Aleksandër Vuçiq, sipas Berishës, synohej emërimi Drejtor i Përgjithshëm i policisë së komunave, Radoiçiq, shkruan A2CNN.
“Në mos Radoiçiqin, vrasësin tjetër të Oliver Ivanoviçit apo ndonjë tjetër kriminel serb, në mënyrë që të organizonte kryengritje dhe të manipulonte serbët në Kosovë, siç bëri Radoiçiçi në Banjskë. Mendoj se draftin ia publikuan për të bindur shqiptarët se drafti është krejt tjetër, për të përgënjeshtruar Ramën, tregon edhe njëherë se Rama është kryekëput në funksion të padronit të tij Vuçiq.”