Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kërkoi nga deputetët që ta miratojnë deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë dhe situatën në komunat veriore, raporton InLajmi.
Tahiri duke folur për Rezolutën e lartëcekur vuri në pah se përmes kësaj Rezolute Parlamenti Evropian përveç tjerash , kërkoi edhe hetim ndërkombëtar për ngjarjet e 24 shtatorit në veri.
“Ne kemi pasur një diskutim pas miratimit të Rezolutës së Parlamentit Evropian, rezolutë kjo që me 28 pika e dënon sulmin më 24 shtator dhe rrjedhimisht kërkon që të ketë një hetim ndërkombëtar për involvimin e shtetit serb më këtë temë dhe poashtu në shumë pika e sqaron rolin destabilizues të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, lidhjet e saj me Rusinë dhe mbi të gjitha kërkon edhe nga vendet mosnjohëse të BE-së të marrin një vendim dhe të njohin Kosovën”, u shpreh Tahiri.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila kërkoi koordinuim për përmbajtjen e kësaj Rezolute.
“Ne si grup i mazhorancës në parim jemi në mbështetje të asaj Rezolute, vetëm kërkojmë mirëkuptimin edhe të z.Tahiri dhe tre shefave të grupeve tjera parlamentare dhe vetëm kërkojmë edhe një herë që të bëjmë një rishikim të përbashkët dhe që të kthehemi gjatë ditës dhe ta miratojnë. Nuk ka ndonjë çështje parimore që nuk pajtohemi vetëm duam që të jemi të gjithë në një vijë dhe të pajtohemi në tërësi me tekstin që është në përmbajtje të Rezolutës”, u shpreh Kusari- Lila/InLajmi/