Kombëtarja shqiptare U-21 nis të dielën e 12 nëntorit grumbullimin dhe përgatitjet zyrtare në Durrës, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian 2025 për këtë grupmoshë.
Takimet ndaj Rumanisë U-21 (17 nëntor) dhe Malit të Zi U-21 (21 nëntor) do të luhen të 2-ja në transfertë.
Trajneri Alban Bushi ka ftuar 24 lojtarë për këto dy takime shumë të rëndësishme të Shqipërisë U-21.
Në konferencën zyrtare për mediat, të zhvilluar mesditën e sotme në ‘Shtëpinë e Futbollit’ trajneri Bushi komentoi listën e futbollistëve të grumbulluar që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këto sfida si edhe gatishmërinë e skuadrës dhe objektivat e kuqezinjve për 2 ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi.
Ai është pyetur edhe për futbollistët nga Kosova që po e zgjedhin Shqipërinë, shkruan lejmi.net.
“Mund të jetë ekipi i parë, por nuk mendoj. Ne kemi marrë gjithmonë lojtarë shqiptarë nga Kosova. Nuk po marrim vetëm tani që ekipi A ka rezultate. Është zgjedhja e tyre, ne thjesht i kontaktojmë. Jo për të bërë polemika, por ne thjesht i kontaktojmë nëse ata kanë dëshirë të vijnë të luajnë për Shqipërinë. Është një luks i madh që një lojtar të ketë mundësi të zgjedhë mes dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Të 2-ja Kombëtaret janë njësoj. Siç ne na bëhet qejfi kur Kosova ecën mirë, edhe atyre u bëhet qejfi kur Shqipëria bën mirë”, tha Alban Bushi.