Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj jep më shumë detaje nga takimi me emisarin evropian Miroslav Lajçak, ndërsa konfirmon se në hyrje të dokumentit të draft statutit të Asociacionit kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese, raporton InLajmi.
Tutje, ka theksuar Haradinaj se drafti i spjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep qytetarëve të komunave me shumicë serbe.
Siç u shpreh Haradinaj, si subjekt politik komentet e tyre do ti japin vetëm pasi të bëhet shqyrtimi i tij nga Kushtetuesja.
“Patëm mundësinë të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit që ta lexojmë në tërësi dhe ta zhvillojmë një bisedë lidhur me hapat e mëtejmë e presin Kosovën dhe atë çka mund të pres Kosova poashtu pas implementimit të obligimeve që i ka marrë në bazë të planit franko-gjerman që është i mbështetur prej amerikanëve”, tha Haradinaj, ndërsa bëri të ditur se në takim me emisarin kanë lexuar draftin në tërësi.
“Sot e kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, qytetarëve që jetojnë në to. Kuptohet që çdo herë i referohet Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, pra Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi. Komentet tona do t’i bëjmë pas shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, pasi në hyrje shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe të gjitha aktetet tjera, dhe çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal, dhe të miratohet nga Gjykata Kushtetuese”, bëri të ditur Haradinaj.
Haradinaj shprehet se themelimi i Asociacionit për Kosovën është hap i rëndësishëm drejt integrimeve.
“Ajo që për mu është me rëndësi, duhet ta themi hapur, me implementimin e Asociacionit Kosova e bën një hap të madh përpara, Kosova me të drejta kërkon një procedurë të shpejtë për anëtarësim në NATO”, u shpreh Haradinaj.