Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të Gjergj Dedaj i cili gjatë dëshmisë në Hagë ka “akuzuar” presidenten për largimin e tij nga posti i ambasadorit, përcjell InLajmi
Kupina është shprehur se Dedaj paska zgjedhur specialen për të përhapur gënjeshtra për presidenten.
Ai gjithashtu duke i’u drejtuar Dedajt, tha se “Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj”, por siç u shpreh ai, “të hoqën shkeljet e tua”.
Ndërsa tërheq vërejtjen Dedajt se presidentja nuk është e “ashtuquajtur”, sepse tha Kuptina Osmani ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës.
Ai kujton edhe kërcënimet e Dedajt ndaj presidentes Osmani dikur një kohë.
Postimi i plotë i tij:
Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës.
Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve.
Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra!
Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj./InLajmi/