Pa ndonjë rezultat ka përfunduar takimi i 14 shtatorit në Bruksel.
Pas takimit, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara.
Por, ndryshe nga ta është shprehur Kurti.
Ai ka deklaruar se në takim kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes, por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.
Për këtë takim dhe atë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen si shkak i mosarritjes së ndonjë rezultati, për Front Online ka folur ish-kryenegociatorja dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.
Ajo ka thënë se në këtë takim kanë dështuar të 2-ja palët, si Kosova e po ashtu edhe Serbia.
“Të 2-ja palët dështuan edhe Kosova edhe Serbia duke mos treguar vullnet politik për të përmbushur obligimet zbatuese nga ky dialog e që lidhet me ardhmërinë evropiane dhe euroatlantike të dyja shteteve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell në deklaratën e tij pas këtij takimi bëri të qartë madje me tone kërcënuese se integrimi evropian i dyja shteteve po rrezikohet. Njëkohësisht aleati ynë strategjik Amerika u shprehë shumë e shqetësuar me dështimin e këtij takimi”, ka deklaruar Tahiri.
Derisa ka shtuar se takimi shfaqi mosgatishmërinë e dyja palëve për të çuar përpara procesin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në fund të tetorit sivjet, e njohur si plani franko -gjerman.
Edita Tahiri: Amerika dhe BE-ja do t’i ndëshkojnë të 2-ja vendet, Kosova do të jetë më e ndëshkuar dhe më e izoluar
Ish-kryenegociatorja dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se në procesin e dialogut nuk ka fajtorë, por vetëm nivel më i lartë dhe më i ulët.
Por, deklaron se kryeministri Kurti duhet ta dijë se përparimi në procesin e dialogut është në interes të Kosovës.
“Fajtorë nuk ka në një proces dialogu për paqe në rajonin tonë, ka vetëm nivel ma i lartë apo më i ultë të përgjegjësisë së palëve ndaj obligimeve për një marrëveshje të cilën të dyja e pranuan si marrëveshjen bazike ( në shkurt të këtij viti) dhe planin zbatues i njohur si marrëveshja e Ohrit. Për mendimin tim Kosova dhe Kurti duhet ta dijnë se përparimi i dialogut të Brukselit është në interes të Kosovës për rritjen e njohjeve nga katër vende të BE-së mosnjohëse, për avancimin e rrugës euro-atlantike të Kosovës por edhe në përgjithësi për forcimin e pozitës gjeopolitike dhe ndërkombëtare të Kosovës në botë”, ka shtuar Tahiri.
Kurse, sa i përket Serbisë ka deklaruar se kësaj të fundit i intereson që sa më shumë dialogu të ngec.
“Sa për Serbinë, asaj i intereson që sa më shumë të ngec ky dialog, sepse është shtet i njohur si dhe Vuçiqi e ka parasysh se deri te integrimi evropian duhen së paku shtate vjet, prandaj do ta zvarrit dialogun për aq sa mundet”, ka thënë ajo.
E, si shkak i mos arritjes së ndonjë rezultati në takimin e 14 shtatorit, Tahiri ka pohuar se edhe Kosova edhe Serbia do të ndëshkohen nga Amerika dhe BE-ja.
“Në këtë kuadër mendoj se nuk ka dyshim që pas këtij takimi dhe sidomos për faktin se tensionet po vazhdojnë në veri të vendit tonë të 2-ja palët do të ndëshkohen nga partnerët Amerikan dhe BE-së. Mirëpo, Kosova do të dëmtohet më shumë, do të jetë më shumë e ndëshkuar dhe më shumë e izoluar”, është shprehur Tahiri.

















