Ministria e Ekonomisë sot ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa, të financuara nga Bashkimi Evropian.
Ministria Ekonomisë njofton se vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është 30% e vlerës investive.
“Masat e prezantuara sot nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje e të cilat përfshijnë: Pompë termike; Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket); Stufa individuale me biomasë”.
“Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është 30 % e vlerës investive, apo deri në 2000.00 euro. Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është 40% e vlerës investive, apo deri në 400.00 euro. Për prindërit vetushqyes 60% e vlerës investive dhe deri në 550.00 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet 60% e vlerës investive dhe deri në 550.00 euro”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.
“Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet 70% e vlerës investive dhe deri në 1200.00 euro. Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një pajisje është shtatëdhjetë përqind e vlerës investive dhe deri në 435.00 euro. Për prindërit vetushqyes 90% e vlerës investive dhe deri në 560.00 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet 90% e vlerës investive dhe deri në 560.00 euro. Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen”.
“Afati për aplikim është 60 ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor 2023. Ata qe kanëqenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022, ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje”, thuhet në komunikatë./InLajmi/