Deputeti i PDK-së Ardian Kastrati, në një intervistë për Gazeta Blic, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se nëse shkohet në zgjedhje tani, opozita do të zhduket.
Ai thotë se pas sanksioneve që i ka bërë vendit, e ka përdorur këtë fjalë jo rastësisht, pasi këtë e kanë përdorur regjimet e atyre që janë pikërisht të inkriminuarit e ish regjimeve të djeshme jugosllave dhe të këtij grupit enverist-stalinist nga Tirana, ku sipas tij, këto 2 grupe janë këshilltarët kryesore të Kurtit, që ia imponojnë vendimmarrjen politike.
“Pas krejt këtyre goditjeve të njëpasnjëshme që ia jep Kosovës, për t’i plotësuar egot e veta personale, pra na jep sanksione, vetëm ne, Republika Srpska dhe Rusia kemi sanksione, tani del jo rastësisht me këtë fjalën zhdukje. A e kuptoni cilat regjime e kanë përdorur fjalën zhdukje, pra fjalën zhdukje e kanë përdorur regjimet e atyre që janë pikërisht të inkriminuarit e ish regjimeve të djeshme jugosllave dhe të këtij grupit enverist-stalinist nga Tirana, të cilët të dy këto grupe janë ato kryesoret, këshilltarët kryesore të Kurtit, që ia imponojnë vendimmarrjen politike”, thotë Kastrati.
Deputeti i PDK-së, vlerëson se duhet të shkohet në zgjedhje por që nuk janë numrat, ndërsa PDK ka marrë vendim për mos votim të asnjë ligji që vjen në Kuvend.
“A duhet të shkojmë në zgjedhje? Po natyrisht se duhet të shkojmë në zgjedhje. A kemi numrat? Nuk kemi numra por ne kemi qëndrim të Këshillit Drejtues të PDK-së se nuk do ta votojmë asnjë ligj të cilin këta e sjellin në Kuvend për të votuar. Ky është mekanizmi i vetëm i sistemit demokratik që ne ta bëjmë opozitën”, shprehet ai.
Sa i përket asaj se a është i kënaqur me Memli Krasniqin si kryetar të partisë, Kastrati thotë se nuk është pjesë e kryesisë dhe nuk mund të flasë për këtë, por shton që ka një koordinim të jashtëzakonshëm mes kryesisë e GP-së.
“Unë nuk jam pjesë e kryesisë së partisë dhe nuk mund të flas në emër të kryesisë por kemi koordinim të jashtëzakonshëm mes Grupit Parlamentar dhe kryesisë për qëndrimet tona politika, për aksionet tona dhe siç e vëreni ne këtë e kemi dinamizuar, si në propozimin e alternativave, të alarmeve, të ngritjeve të çmimeve, çmimit të energjisë, që sot janë neglizhuar e nënçmuar nga ky pushtet arrogant dhe pastaj me hedhjen e ligjeve në gjykatën Kushtetuese, pasi e kemi parë se ato janë të kundërkushtetuese dhe përpos këtyre jeta jonë është dinamizuar në Parlament dhe përtej kësaj do të dinamizohet edhe më shumë si opozitë”,potencon deputeti Ardian Kastrati.
Deputeti i PDK-së përmend dhe skandalet e partisë, që thotë se nuk kanë ndodhur në 20 vjeçarin që Kurti e përmend vazhdimisht, por në 3 vjeçarin e tij dhe me të gjitha këto skandale, s’mund të binden qytetarët të mos ikin e as investitorët për investime në Kosovë.
“Ju e keni parë narracionin e tyre të 20 vjeçarit, se ai i ka fajet, tash këta i bënë 3 vite, u bënë 23 vite, megjithëse unë për 20 vjeçarin mendoj se çdo gjë e mirë dhe kapitale që është bërë mirë këtu, është bërë gjatë 20 vjeçarit. Tash a ka mundur më mirë apo jo është një çështje tjetër por ti vlerësoje veten për 3 vite, që 3 vite nuk ke investime kapitale, nuk ke investime të huaja, ka rënie të eksporteve dhe rritje të importeve, këta dalin dhe gënjejnë thonë ka shtim të hyrave në Doganë, natyrisht që ka por pasi janë rritur çmimet. Perspektiva është e zymtë me këtë qeverisje kalamajsh, të skandaleve, të korrupsionit të madh, si Martini, hetimi në KEK për 300 milionët, pastaj kjo me rezervat shtetërore skandal më të madh s’ka pasur, e deri te këta shpërndarësit e drogës, besoni këto nuk janë të 20 vjeçarit, prandaj me këto nuk mund ta bindësh qytetarin që të mos ikën prej këtu. Pra, duhen zgjedhje dhe duhet një qeveri e cila e riofron Kosovën me partnerët strategjik si SHBA e BE, e fut prapë në anijen e duhur dhe në drejtimin e duhur drejt orbitës euroatlantike dhe pastaj të shtensionohet situata mes asaj që duhet hequr sanksionet dhe të krijohet një terren për investitorë të huaj dhe investimeve kapitale”,vlerëson Kastrati.
Ai thotë se PDK synon fitoren e zgjedhjeve, kurdo që të mbahen ato.
“Çdo parti politike por edhe kjo e jona gjithmonë synon t’i fitojë zgjedhjet kurdo që ato mbahen dhe edhe ne kemi atë synim”, përfundon deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati.