Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehet e shqetësuar për vendimin e liberalizimit, ndërsa thekson se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, raporton InLajmi.
Kështu është shprehur presidentja Osmani të mërkurën ndërsa iu ka referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani.
Tutje presidentja Osmani ka folur edhe për hapat që po merren drejt shtensionimit të situatës me theks në veri të vendit , ndërsa është shprehur se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.
Sipas presidentes, Kosova tashmë ka bërë hapat e parë ndërsa është reduktuar numri i policëve në veri sikur po punohet tha ajo në organizimin e zgjedhjeve të reja.
Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, prandaj ka shtuar presidentja që pas kësaj BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë çështje, presidentja e vendit tha se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.
Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak./InLajmi/