Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar edhe një herë përkrahje për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Albin Kurtit. Sipas tij, dëmet që i janë shkaktuar Kosovës janë të mëdha.
Haradinaj beson se deputetët e mazhorancës do ta përkrahin rrëzimin e kësaj Qeverie, pasi thotë se parashikimet nuk janë të mira për vendin
“Shumë njerëz po i bëjnë thirrje Qeverisë sonë që të kthehet me NATO-n, BE-n, por fatkeqësisht Kurti edhe kjo Qeveri ka zgjedhur rrugë tjetër. Pasojat po i rriten Kosovës, parashikimet nuk janë të mira për as një temë. Mocioni është mënyra më e duhur, legjitime edhe është demokraci. Aktualisht opozita ka votën sa me iniciuar mocionin pastaj do të duhej ndihma e deputetëve të tjerë”, tha Haradinaj, teksa foli edhe për bashkëpunimin me partitë tjera opozitare.
“Në rrethana të caktuara do të arrijmë unitetin brenda opozitës. Konsultohemi rregullisht edhe me Krasniqin edhe Abdixhikun, dhe shefi i grupit parlamentar ka komunikim të rregullt. Kanë ndodhur shumë gjëra. Jam i bindur që në parlament Kurti dhe Qeveria ka shumë llogari me dhënë. Po shpresoj që gjitha këto zhvillime do të kenë një fund e fundi është që të shkojë në shpi qeveria Kurti”,u shpreh Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarime, kreu i AAK-së i ka thënë pas takimit që ka mbajtur me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.