Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Inovacionit (MASHTI), për herë të parë në shumë vite, nuk ka siguruar librat falas për filloristët.
Këtë, kjo Ministri e ka arsyetuar duke thënë se shtëpitë botuese kanë aplikuar me çmime shumë të larta.
Për të dalë nga kjo situatë, Qeveria ka hapur në platformën eKosova një mundësi për subvencionim të librave – nga 80 euro për klasat I deri në V.
Po ashtu, ministrja Arbërie Nagavci tha se për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.
Mirëpo, këto veprime nuk po i pëlqejnë opozitës.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijajka thënë se kjo çfarë është duke bërë Qeveria, po e rëndon buxhetin familjar të prindërve.
Poashtu, Kadrijaj ngrehu shqetësimin për mosfunksionimin e platformës eKosova dhe për rimbursimin e mjeteve.
“Kjo qeveri kur është në pyetje interesi i qytetarëve nuk ka vendimmarrje dhe vonohen në vendime, kështu ata edhe më shumë po e komplikojnë jetën e qytetareve. Vendimi për mos sigurimin e librave për nxënësit në ketë fillimvit po e rëndon buxhetin familjar të prindërve të cilët kanë më shumë se një fëmijë”
“Po sa efikase dhe sa e sigurt është që kush aplikon në platformën eKosova, a do funksionojë dhe a do rimbursohen mjetet, apo ky është një mashtrim i radhës për blerje të kohës që ndoshta prindërit asnjëherë nuk do i marrin këto mjete. Plus kujdes në plotësimin e aplikacionit se deputetët e VV ju kanë kërcënuar”, tha deputetja e AAK-së, duke e përmbyllur postimin me fjalinë: “Qeveri e turpit dhe për faqe të zezë”.