Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar vendimin përmes të cilit i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën.
”Mbështetja dhe përkrahja ndaj Ukrainës, do zbatohet sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Pas kësaj komunikate, ka shkruar edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se “duke iu bashkuar kësaj Deklarate, Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”.
“Pushtimi ilegal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë, mbetet një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Çmimi i shkaktuar deri tani, në jetë njerëzish, stagnim ekonomik dhe shkatërrim mjedisor, ka qenë katastrofal për popullin ukrainas”, ka deklaruar Kurti
Që nga 24 shkurti i vitit 2022, Rusia po përpiqet ta pushtojë Ukrainën.
Gjatë kësaj kohe, NATO-ja ka qenë e qartë në mbështetje të Ukrainës.
Në këtë linjë ka qëndruar edhe Kosova, duke i vendosur sanksione Federatës Ruse.
