Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë do të paguajnë 16 miliardë lekë, me kursin e sotëm të këmbimit rreth 155 milionë euro më shumë taksa për pronat e tyre.
Sipas relacionit të projektligjit, “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, taksa mbi pronën në vitin 2026 do të jetë sa 0.1 deri në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 0.32% që ishte gjatë 2022-shit. Përkthyer në vlerë, nga 5.3 miliardë lekë vitin e shkuar, 61 bashkitë në vend pritet të arkëtojnë 18-25 miliardë lekë kur ligji të hyjë në fuqi në 2026-n.
“Duhet kuptuar fillimisht se sa aftësi kanë shqiptarët që të paguajnë. Ky objektiv duket i vështirë për t’u arrirë. Ndaj duhej të kishim një studim paraprak”, tha Imeldi Sokoli, pedagog dhe urbanist, shkruan A2CNN.
Aktualisht Shqipëria është vendi me normën më të ulët të mbledhjes së të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me vetëm 0.32% të Prodhimit të brendshëm bruto në Rajon ky tregues është në nivelin e 0.8%, në vendet europiane 1.1% dhe në shtetet e zhvilluara si Shtete e Bashkuara të Amerikës 2 deri në 2.4%.