Dragan Markoviq Palma, lideri i partisë Serbia e Bashkuar, duke komentuar kërkesën opozitare, tha se parti e tij dhe partneri i tyre i koalicionit SPS nuk janë për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse, siç tha ai, “kur shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare humbet i gjithë viti”, transmeton InLajmi.
Ndërkohë ka shtuar ai se zgjedhjet duhet të mbahen në kohën e rregullt.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje dhe dalim para qytetarëve me vepra, por mendoj se zgjedhjet duhet të jenë të rregullta”, tha Markoviq.
Ai ka komentuar edhe situatën në Kosovë.
“Jam i sigurt se atë që po bën Albin Kurti, nuk po e bën i vetëm dhe se ka mbështetjen e heshtur të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Si mund ta shpjegosh ndryshe faktin që Kurti nuk lejon që barnat dhe ushqimet të hyjnë në Kosovë dhe kjo vazhdon me ditë e muaj. Më pas vjen njoftimi “e dënojmë” nga BE-ja. Është si kur njëri godet tjetrin dhe ti thua “godite edhe një herë”. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare duhet të zbatojnë marrëveshjet, tekstin e të cilave e kanë hartuar vetë, siç janë Marrëveshja e Kumanovës, Rezoluta 1244 dhe Marrëveshja e Brukselit”, tha Markoviq.
Kreu i JS, duke folur për pjesën e opozitës, tha se “disa opozitarë duan të jenë politikanë të praktikës së përgjithshme”, shkruan pink.rs.
Sipas tij tani janë kohëra tjera dhe me kohën ka ndërruar edhe ideologjia.
“Sot ideologjia është që të kujdeseni për çdo njeri, që Serbia të ecë përpara, të rriten pagat dhe pensionet, që Serbia të bashkëpunojë me gjithë botën dhe të ulet presioni në Kosovë dhe Metohi. Pikërisht këtë po bën qeveria aktuale dhe për këtë Serbia e Bashkuar mbështet presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, dhe Qeverinë e Republikës së Serbisë – tha Markoviq. /InLajmi/