Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, ka reaguar pasi dikasteri i cili udhëheqë mori vendim që ta hedhë poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit , përcjell InLajmi.
Ajo tha se çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe si ministri kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe ligjin pa përjashtim e pa diskriminim.
Hajdari i bëri thirrje Policisë së Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.
Postimi i plotë i saj:
Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.

Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim.
Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht.
Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.
I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh./InLajmi/