Kryeqendra e Veriut si çdo vit është një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit në vend.
Ndërthurja perfekte mes turizmit malor, detar dhe atij kulturor e bëjnë Shkodrën vendin më të preferuar të turistëve që e konsiderojnë një tokë ende “të pa zbuluar” dhe perfekte për të pushuar.
Nën kryetari i bashkisë Shkodër Rudin Beka thotë se ka një rritje të turistëve në të gjithë territorin e bashkisë ndërsa thotë po merren masa për menaxhimin e trafikut i cili është nga problemet më shqetësuese në Shkodër.
“Ky sezon turistik ka nis shumë mirë, me energji dhe shumë punë tek nevojat primare, duke nis me bashkinë në punë pa kosto duke dhënë një impakt sa më të shpejtë tek pastrimi dhe lirimi i hapsirave publike deri tek qarkullimi që kemi bërë disa ndërhyrje” tha Rudin Beka nënkryetar i Bashkisë Shkodër.
“I kemi dhënë shumë përparësi zonave turistike si Thethi ku kemi rritur shumë shpeshtësinë e marrjes së plehrave dhe energjinë elektrike që ka ndikuar pozitivisht”.
Ky sezon është një sfidë thotë Beka pasi bashkia është në një fazë tranzicioni dhe ende ka pika që duhen përmirësuar.
“Projekti për hyrjen e Shkodrës është një projekt konkret që prit të fillojë shumë shpejt. Por duhet ta kuptojmë që është me 2 faza. Faza komentale që ne jemi sot është faza e emergjencës, pra ne thjesht duhet të koordinojmë drejtimin e rrugëve dhe lëvizjen e hapsirave, lirimin e parkimeve dhe asfaltimin e urës së Baçallekut. Besoj se vitin tjetër do të nisim me projektin për hyrjen e Shkodrës i cili do të jetë një nga projektet më të bukura dhe do të jetë një frymëmarrje për qytetin” ,shtoi më tej Beka, shkruan Euronews.al
Thethi mbetet më e preferuara për turistët ndërsa nuk mbetet pas as Velipoja apo turizmi kulturor.
