Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga Bashkimi Evropian, për shkakun se nuk përfilli kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri të vendit
Për shumë javë, situata atje u paraqit e tensionuar, saqë pati edhe lëndime të ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e policisë.
Por, vetëm pas kësaj Qeveria e Kosovës ra dakord me Bashkimin Evropian në disa pika për shtensionimin në veri.
Dakordimi Kosovë-BE erdhi në një takim joformal të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Bratislavë, shkruan Front Online.
Në këtë marrëveshje në njërën prej pikave përmendet edhe shpallja e zgjedhjeve në veri.

E, zgjedhjet janë bërë përsëri temë diskutimi.
Është pikërisht kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi i cili të hënën tha se zgjedhjet në veri duhet të shpallen atëherë kur Bashkimi Evropian largon sanksionet që ia ka vendosur Kosovës.
Deklaratën e Bislimit e ka mbështetur edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se nuk mund të shpallen zgjedhjet në atë pjesë pa u bërë deeskalimi i plotë
Për këto kushtëzime kanë folur nga zyra e Bashkimit Evropian.
Ata nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e zv. kryeministrit Bislimi.
“Ne nuk komentojmë komentet. Ne, megjithatë, shfrytëzojmë rastin të ritheksojmë se BE-ja pret që palët të zbatojnë kërkesat e BE-së siç përshkruhet në deklaratën e 27 shteteve të BE-së nga 3 qershori 2023”, thuhet në përgjigjen e BE-së
Nga zyra e Bashkimit Evropian kanë thënë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejtë.
“Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të 4 komunat e Kosovës me popullatë serbe në veri”, thuhet më tutje në përgjigjen e BE-së
Nga Bashkimi Evropian presin që edhe serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor që do të zhvillohet, dhe jo njëjtë siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.
“Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje”, ka deklaruar nga BE-ja për Front Online.
Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë në veri, nën përcjelljen e policisë, hynë në ndërtesat komunale. Serbët në veri kanë protestuar duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale të Polici.