Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka folur mbi zhvillimet në veri të vendit dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se është e padrejtë që vetëm njëra palë po fajësohet për situatën e tensionuar në veri të vendit, derisa shtoi se Kosova megjithatë mund të bëjë më shumë për të arritur progres në fushën e dialogut.
“Mendoj se fajësimi i njërës palë është i padrejtë në çfarëdo procesi negociator, pra siç thonë në anglisht duhen 2 persona për të kërcyer tango, dialogu kërkon kontributin dhe interesin e vërtetë të të 2-ja palëve, pra mendoj se ka presion të padrejtë ndaj Kosovës, por mendoj se Kosova duhet gjithashtu të ndërmarrë disa hapa për të kontribuar për progres në këtë dialog dhe në marrëveshjen e arritur me 27 shkurt në Bruksel, që sipas mendimit tonë është kornizë e mirë dhe të gjitha pikat e asaj marrëveshje duhet të implementohen, duke përfshirë pikën 7”, tha Angili në Rubikon të Klan Kosovës.
Angili tha se gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për t’i riorganizuar zgjedhjet në veri është i hap i duhur, ndërsa shtoi se organizimi i zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e serbeve nuk është ide e mirë.
“Mendoj se ishte një hap pozitiv nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri Kurti që hapur të deklaroj se është gati që t’i riorganizoj zgjedhjet, natyrisht në linjë me sistemin ligjor dhe Kushtetutën e Kosovës. Lista Serbe dhe serbët në veri duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje, BE-ja, SHBA-të dhe akterët tjerë relevant duhet ta përgatisin terrenin për këtë gjë dhe nëse ndihma e Turqisë është e nevojshme ne jemi gati ta ofrojmë atë”, tha Angili.