Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e Rahovecit, ku 25 vjet më parë, më 19 korrik të vitit 1998 nga forcat serbe u vranë afro 150 persona, përcjell InLajmi
Presidentja theksoi se përkujtimi i sotëm është vetëm një mundësi për ta kujtuar këtë ditë të trishtë, për ta kujtuar të kaluarën dhe për t`i nderuar viktimat, por mbi të gjitha është thirrje për drejtësi.
Ndryshe, më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.
Njoftimi i plotë nga Presidenca e Kosovës:
Më 19 korrik të vitit 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht afro 150 gra, fëmijë e pleq, të strehuar në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec, sikurse edhe në vendin e quajtur “Tuma”.

Përkujtimi i sotëm nuk është vetëm një mundësi për ta kujtuar këtë ditë të trishtë, për ta kujtuar të kaluarën dhe për t`i nderuar viktimat, por mbi të gjitha është thirrje për drejtësi.
Kujtimi për jetët e humbura e të pafajshme do të jetë i përhershëm, teksa zëri ynë për drejtësi do të kumbojë, deri në triumfin e saj! /InLajmi/