I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka raportuar të martën para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me situatën, dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor theksoi se janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transatlantike.
Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se i kërkohet Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.
“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Ndërsa shton Escobar, sipas kësaj marrëveshjeje, Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë që të 2 vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.
Masat ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se refuzon t’i quajë sanksionet, derisa ka përmendur se e vetmja gjë me të cilën nuk është pajtuar ShBA-ja ka qenë dërgimi me polici i kryetarëve në 4 komunat veriore.
“Do të punojmë për realizimin e planit 3 pikësh”, ka thënë ai duke folur për rrugën përpara si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur për komunat veriore, Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.
“Kemi qenë shumë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushteve që kërkojnë për pjesëmarrje në proces demokratik që është në Kosovë, pra kemi marrë zotimin që nuk do ta kundërshtojnë, dhe janë pasojat për Serbinë nëse nuk e bënë këtë, por vazhdojmë të punojmë me BE-në që plani 3 pikësh të zbatohet”, ka thënë ai.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit në Kongresin Amerikan, ka folur edhe për dhunën e serbëve lokalë gjatë protestave në veri të Mitrovicës.
Eskobar ka deklaruar se ka pasur tensione dhe dhunë të papranueshme ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në veri.
Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Serbinë për sanksione të mundshme mandatore për shkak të blerjeve të pajisjeve ushtarake nga Kina dhe Rusia.
E lidhur me qasjen ndaj Kosovës, Escobar është pyetur nga kongresmeni nga Teksasi, Keith Self.
Self ka pyetur Escobarin për qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, kur sipas tij nuk ka dyshim se Vuçiqi nxiti bojkotimin e zgjedhjeve në veri, shkruan Telegrafi.
“Po dëgjoj një lloj jo konsistence. Ju keni thënë që keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment por tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës. Kjo nuk ka aspak dyshim. Vuçiqi i ka shtyrë zgjedhjet e veta edhe për shkak të zgjedhjeve të Kosovës”, ka deklaruar Self.