Për Lulzim Bashën, debatet që kanë përfshirë kampin e djathtë pas dorëheqjes së Enkeljed Alibeajt nga posti i kryetarit të komanduar, janë shenjë e qartë që në PD ka nisur një “reflektim i thellë.”
Ish-kryetari flet për frymë debati konstruktiv në Kryesinë e PD-së teksa shton se nuk ka gjë më demokratike se mendimet ndryshe në një forum politik.
“Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike”, tha ai.
“Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas”, tha Basha.
Kujtojmë se në mbledhjen e Kryesisë që zgjati deri në orët e para të së mërkurës me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime, Kryesia vendosi që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik, në kushtet kur edhe Jorida Tabaku refuzoi drejtimin e partisë, shkruan EuroNews.Albania
Ky vendim solli tensione në mbledhje, pasi deputetët, që njëherazi janë edhe anëtarë të Kryesisë, nuk kanë pranuar që zgjedhjet të mbahen tani afër.