Ministri i Mbrojtjes së Serbisë Millosh Vuçeviq, duke vënë në theks situatën në veri të Kosovës tha të marten se bazuar nga vlerësimet ditore të sigurisë Forcat e Armatosura të Serbisë vazhdojnë të jenë jetë në gjendje gatishmërie të lartë, transmeton InLajmi.
Ministri, theksoi se nuk është ky rasti i vetëm që për shkak të situatës në veri, ushtria e Serbisë ngrit nivelin e saj në gjendje gatishmërie.
“Kjo nuk është hera e parë. Kjo është hera e 3 në 8-9 muajt e fundit që ushtria serbe duhet të ketë nivel të lartë gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë”, tha Vuçeviq për televizionin Happy.
Tutje theksoi Vuçeviq se do të dëshironte që të gjitha çështjet rreth Kosovës të mbeten temë për bisedime dhe diskutime diplomatike dhe jo për veprime ushtarake.
“Unë mendoj se kjo është kryesisht një punë për politikanët dhe mburoja e fundit për qytetarët tanë atje të jetë ushtria,” tha Vuçeviq.
Ministri i qeverisë së Brnabiqit, ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Serbi duke shtuar se një Serbi stabile nuk i përshtatet “qendrave të pushtetit” dhe se ngjarjet në Beograd nuk i kontribuojnë çështjes së hapur të Kosovës.
“Nuk është një teori konspiracioni, nuk është një histori për komplote. Është një realitet politik apo gjeopolitik. Ata që nuk kuptojnë nuk janë për politikë”, tha Vuçeviq.
Vuçeviq theksoi se nuk po thotë se të gjithë ata që e shohin Kosovën si shtet të pavarur po e “minojnë Serbinë”, por se është i sigurt se në mesin e tyre ka nga ata që “gëzohen apo inkurajojnë këtë fatkeqësi tonën”. /InLajmi/