Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar kryeministrin e vendit Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani, për prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, përcjell InLajmi.
Hoti thekson se Kosova sot po humb miq dhe aleatë për shkak të politikës së mbrapshtë të binomit Kurti-Osmani ndërsa shton se këta të fundit po e dërgojnë Kosovën drejt izolimit.
Ai i quan “të paaftë” kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani derisa përmend faktin që Kosova është përjashtuar nga “Defender Europe 2023”.
Sipas Hotit, Kosova sot është në pikën më të ulët të mbështetjes nga aleatët nga 3 dekada.
Postimi i plotë i tij:
Kosova sot po humb miq dhe aleatë për shkak të politikës së mbrapshtë të binomit Kurti-Osmani.
Kosova sot është në pikën më të ulët të mbështetjes nga aleatët në tri dekada. Binomi Kurti-Osmani po e dërgon Kosovën drejt izolimit. Nga vendi me mbështetjen më të madhe amerikane në rajon, këta të paaftë e kthyen Kosovën në qendër të kritikave dhe fajësimit nga ana e aleatëve.
Pasojat tanimë po i bartim – Kosova është përjashtuar nga ‘Defender 2023’, që ishe ëndërr e ushtarëve të FKS-së. Cilat janë pasojat e radhës?! /InLajmi/