Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja, Dardan Sejdiu, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me situatën e krijuar së fundit në veri të vendit.
Sejdiu tha se kryeministri Kurti me anë të situatave të konfliktit mundohet të krijojë rrethanë të re, rrethanë kjo që mund sjellë sipas tij një pozicion më të favorshëm në negociata.
“Zoti Kurti është kryeministër i cili me anë të situatave të konfliktit pretendon dhe mundohet me kriju situatë të re, rrethanë të re, rrethanë kjo e cila mund të sjellë një pozicion tjetër në mendjen e tij, më të favorshëm për Kosovën në negociata. Gjithashtu është mjeshtër i krijimit të iluzionit që mund të ketë marrëveshje në kaudër të kornizave të dialogut që e ka vendos zoti Thaçi me zonjën Edita Tahiri”, tha Sejdiu.
Ai tha se Kurti ka punuar në 2 rrafshe deri tani, zbrapsja tregon se taktikat e tij nuk ka qenë e suksesshme.
Ish-deputeti Sejdiu tha se Kurti ndërtoi rrethanë të re që t’i ikë Asociacionit pa marrëveshje finale.
“Në 2 rrafshe ka punu deri më tani dhe që të dyja si duket nuk ka patur mundësi që të bëjë një kapërcim cilësor dhe zbrapsja e tij e fundit tregon që taktika e tij ka qenë e pasukseshme. Në njërën anë duke u munduar që me anë të situatave të reja të konfliktit, situata që krijojnë tensione, krijoi një rrethanë të re, rrethanë me të cilën do të mund t’i ikte diskutimit të marrëveshjeve të kaluara të ndërtuara nga zoti Thaçi dhe zonja Tahiri përballë Serbisë. Në këtë rrafsh ndërtoi rrethanë të re që ti ikë Asociacionit pa marrëveshje finale. Gjithë orvatja ka qenë që me anë të rrethanave të reja të ketë marrëveshje finale, në të cilën edhe nëse ka Zajednicë brenda nuk është jashtëzakonisht shqetësuese meqë ka pranim faktik të Serbisë që Kosova është Republikë. Si duket kjo taktikë nuk i funksionoi, dhe përtej veprimeve deklarative jashtëzakonisht të forta, si duket të tjerat kanë qenë taktizime, taktizime jashtëzakonisht afatshkurta pa ndonjë dobi të qartë për Republikën” tha Sejdiu.